Autoriteti i Konkurrencës konfirmon se ka rritje të çmimit të vajit ushqimor në Kosovë

01.06.2021

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka kryer një monitorim në tregun e Kosovës, pas shqetësimeve të ngritura lidhur me ngritjen e çmimit të vajit ushqimor, më konkretisht të vajit të lulediellit. “Nga monitorimi ynë i tregut kemi konfirmuar se ka pasur një rritje të theksuar të çmimit të këtij produkti nga muaji janar i këtij viti. […]

Autoriteti i Konkurrencës konfirmon se ka rritje të çmimit të vajit ushqimor në Kosovë

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka kryer një monitorim në tregun e Kosovës, pas shqetësimeve të ngritura lidhur me ngritjen e çmimit të vajit ushqimor, më konkretisht të vajit të lulediellit.

“Nga monitorimi ynë i tregut kemi konfirmuar se ka pasur një rritje të theksuar të çmimit të këtij produkti nga muaji janar i këtij viti. Për këtë arsye, AKK menjëherë ka nisur procedurat për të parë nëse operatorët e tregut kanë bërë ndonjë shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës gjatë caktimit të çmimit.

Bazuar në këtë ligj, bashkërendimi i operatorëve të tregut për ta caktuar çmimin e ndonjë produkti mund të jetë veprim që bie ndesh me ligjet në fuqi që e mbrojnë konkurrencën e ndershme në vendin tonë”, thuhet në komunikatë.

Tutje theksohet se nga monitorimet që kanë kryer në terren si dhe nga mbledhja e të dhënave nga institucionet shtetërore, është ardhur në përfundim që nuk ka elemente të ndonjë marrëveshjeje të ndaluar apo praktikë të bashkërenduar ndërmjet importueseve të vajit në Kosovë.

“Në fakt, bazuar në monitorimet të kryera, kemi konstatuar se rritja e çmimit të vajit ushqimor është rritje globale, e cila pastaj reflekton në mënyrë zinxhirore edhe në shtetin tonë, si importues i këtij produkti”, theksohet në komunikatë. 

Çmimet e vajit të lulediellit në tregun botëror do të ndryshojnë ekskluzivisht në varësi të furnizimit dhe kërkesës. Në vitin 2020, shumë prodhues të mëdhenj botërorë, si Ukraina, Rusia, Bullgaria, Rumania, Moldavia, kishin një rendiment më të dobët të lulediellit, gjë që ndikoi në mënyrë të pashmangshme në këtë trend të çmimeve në bursat botërore. Duhet thënë poashtu se një rol në ngritjen e çmimit ka pasur edhe ndryshimi në politikat e disa vendeve që janë eksportues të mëdhenj, si fiksimi i politikave të importit dhe vendosja e taksave mbi vajin ushqimor.

“Sa për të pasur një pasqyrë edhe më të sakë të këtij efekti, ne kemi analizuar edhe çmimet e këtij produkti në tregjet e vendeve të rajonit. Për shembull, hulumtimi i tregut shqiptar jep rezultatet e një shtrenjtimi të vajit ushqimor gjatë vitit 2021.

Çmimet e vajit për gatim panë një shtrenjtim të shpejtë në fillim të këtij viti, teksa shitësit me pakicë paralajmërojnë rritje të mëtejshme gjatë vitit 2021. Situatë e ngjashme është edhe në Serbi, që është eksportuesi më i madh i vajit në Kosovë”, përfundon komunikata.

Etiketat