“Rritja e çmimit të vajit jo reale, më shumë ishte spekulative”

11.03.2022

Vetëm dje në Kosovë çmimi i vajit ushqimore ishte rritur në 3.49 euro, gjë kishte ngjallur reagime e pakënaqësi të shumta nga qytetarët dhe rezultoi me mbylljen e dy depove, ku u gjetë vaj në sasi prej mbi 100 mijë litrash për të cilin ka munguar dokumentacioni. Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës […]

“Rritja e çmimit të vajit jo reale, më shumë ishte spekulative” Foto: Ilustrim

Vetëm dje në Kosovë çmimi i vajit ushqimore ishte rritur në 3.49 euro, gjë kishte ngjallur reagime e pakënaqësi të shumta nga qytetarët dhe rezultoi me mbylljen e dy depove, ku u gjetë vaj në sasi prej mbi 100 mijë litrash për të cilin ka munguar dokumentacioni.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) ka theksuar se vala e re e rritjes së çmimeve ka prekur të gjitha vendet, këtu duke përfshirë edhe shtetin e Kosovës.

Për rritjen e çmimeve të vajit i cili dje ishte shitur me 3.49 euro, kreu i OEK-ut, vlerësoi nuk është realiste. “Dje gjatë ditës kam kërkuar që të shikohet se në çfarë çmime është importuar vaji nga vendet e tjera, pra dje rritja e çmimit të vajit ka qenë lëvizje tipike spekulative dhe me një element për të ia futur frikën qytetarëve e për të mbetur pa atë produkt. Ishte mirë që pati reagim qytetar dhe se institucionet u zgjuan nga gjumi dhe reaguan menjëherë”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas tij rritja e çmimit të naftës ndikon tek mbi 130 produkte të ndryshme. Rukiqi tha se shembull i krijimit të panikut ka qenë edhe rasti me fillimit të pandemisë në Kosovë para dy viteve.  “Zbrazja e rafteve është një lloj stimulimi, pra raftet nuk guxojnë të mbesin të zbrazura,  edhe ekonomistët më të mirë të botës rekomandojnë të mos mbesin raftet e zbrazura dhe të krijohet panik”, tha ai.

Kosova nuk ka mekanizëm për të mbarë vajtur ndonjë situatë siç ka qenë pandemia, apo edhe lufta. “Duhet të gjejmë ekonomik të gjitha së bashku,pra qeveria dhe akterët e tjerë për të shikuar mundësitë për të bashkëpunuar edhe me komunitetin e biznesit”, deklaroi Rukiqi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se kriza që është në treg duhet menaxhuar mirë dhe me një informacion të qartë nga institucionet përgjegjëse.

“Ne nuk do të mbrojmë apo përfaqësojmë ndonjë kompani që nuk ka etikë minimale të tregut, ne jemi duke pritur informacion nga Ministria e Tregtisë dhe të presim epilog, por vet fakti i reagimit tonë tregon përkushtimit ndaj atyre kompanive që prishin tregun”, deklaroi ai.

Rukiqi për problemin e furnizimit me miell, tha se nuk do të ketë asnjë lloj mungese të miellit. “Për gjashtë muajt e ardhshëm nuk do të ketë asnjë mungesë të miellit, epilogu i luftës në Ukrainë e përcakton se si do të jetë tregu”, tha ai.