Rritet ndjeshëm buxheti për bujqësinë – mbi 95 milionë euro në mbështetje të fermerëve
Sektorii i bujqësisë në Kosovë shënon një zhvillim shumë pozitiv këtë vit, pasi buxheti i Ministrisë së Bujqësisë është rritur dhe arrin vlerën totale prej 95,684,279.00 euro. Kjo rritje pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përkrahjen e fermerëve, zhvillimin rural dhe forcimin e sigurisë ushqimore në vend.
Foto: Ilustrim
Sipas ndarjes buxhetore, 71,530,000.00 euro janë dedikuar për pagesa direkte për fermerët, ndërsa 3,000,000.00 euro janë paraparë për kompensimin e dëmeve natyrore në bujqësi. Po ashtu, Agjencia e Pyjeve të Kosovës do të përfitojë 4,706,160 euro, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës do të mbështetet me 1,137,830 euro.
Ky buxhet i shtuar konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për fermerët dhe rritjes së prodhimit vendor. Shpresohet që thirrjet për subvencione dhe grante të hapen sa më shpejt, në mënyrë që përfitimet të arrijnë në kohë tek fermerët dhe sektori bujqësor të vazhdojë zhvillimin e qëndrueshëm.
