Rohde: Gjermania do të mbetet partneri më i madh i Kosovës

26.09.2025

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili po e përmbyll mandatin e tij pesëvjeçar, ka përcjellë një mesazh lamtumire përmes një video-adresimi, ku ka theksuar se Gjermania ka qenë dhe do të mbetet partneri më i madh i Kosovës.

Rohde ka përmendur disa prej zhvillimeve kryesore gjatë periudhës së tij, ndër të cilat liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës në vitin 2024. Ai megjithatë ka theksuar se ende ka procese që nuk janë realizuar, siç është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ambasadori në largim ka theksuar lidhjet e ngushta mes dy vendeve, duke përmendur se rreth 600 mijë kosovarë apo gjermanë me prejardhje kosovare jetojnë në Gjermani, çka sipas tij e bën këtë marrëdhënie unike.

Në videomesazh, Rohde është shprehur se Kosova do t’i mungojë – njerëzit e saj, mikpritja dhe ecjet në male – ndërsa njoftoi se pasardhësi i tij, ambasadori Rainer Rudolph, pritet të arrijë së shpejti në vend për të marrë detyrën.