Robert Bosch: Ish-krerët e UÇK-së pritet të shpallen të pafajshëm, procesi po ecën ngadalë
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka deklaruar se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, pritet të shpallen të pafajshëm.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Bosch nënvizoi se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po shkon ngadalë dhe është tejzgjatur. Ai shtoi se aktgjykimi pritet të dalë vitin e ardhshëm, ndërsa sipas tij, të gjithë do të lirohen.
“Procesi po ecën shumë ngadalë, por tani po mundohen ta finalizojnë me dëshmitarët e prokurorisë. Kjo fazë do të përfundojë në fund të këtij muaji, ndërsa aktgjykimi pritet vitin e ardhshëm. Megjithatë, mendoj se aktgjykimi do të rezultojë me lirimin e të gjithëve,” tha Bosch.
Ai komentoi edhe për deklaratën e ish-gjeneralit suprem të NATO-s, Wesley Clark, duke thënë se ajo do të jetë e njëjtë me të tjerat: brenda UÇK-së nuk ka pasur një organizim hierarkik, por ka funksionuar si një organizatë e decentralizuar.
Bosch foli gjithashtu për situatën politike në Kosovë dhe raportet me ndërkombëtarët. Ai kritikon ngërçin politik, duke e konsideruar të çuditshme propozimin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, i cili u bë 56 herë pa sukses, dhe thekson se kjo situatë ka penguar funksionimin e vendit dhe nënshkrimin e kontratave.
“Kjo situatë është e dëmshme për vendin. Shumë procese nuk mund të nënshkruhen, bizneset presin kontrata, por askush nuk është i autorizuar për vendime, sepse qeveria është vetëm kujdestare. Kjo dallon nga Holanda, ku edhe qeveritë kujdestare mund të vendosin. Këtu proceset janë bllokuar plotësisht,” tha Bosch.
Ish-ambasadori është rezervuar në komentet për marrëdhëniet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me ndërkombëtarët, por thekson se mungon bashkëpunimi mes institucioneve dhe akuzoi për një klimë negative, ku veprimet e opozitës shpesh interpretohen si krim.
“Shoh që ka shumë njerëz që nuk po punojnë bashkë, dhe kjo është e keqe. Në fillim, Kosova konsiderohej shembull për sjelljen qytetare, por tani disa njerëz kanë filluar të sillen keq. Nuk duhet të shkojmë në atë drejtim ku çdo gjë që bën opozita quhet krim,” tha Bosch.