Rasti i patentave, arrest shtëpiak për 10 të dyshuarit, refuzohet paraburgimi

31.05.2025

Dhjetë të dyshuarve të arrestuar në operacionin e fundit policor lidhur me dallaveret me patentë shoferë u është caktuar masa e arrestit shtëpiak, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Kjo u bë e ditur nga avokati Driton Musliu, mbrojtësi i Leutrim Abdylit, njërit prej të dyshuarve.

Sipas avokatit Musliu, masa e arrestit shtëpiak e vendosur nga Gjykata Themelore në Prishtinë do të zgjasë 30 ditë. Palët kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë kundër këtij vendimi brenda 48 orëve nga marrja e vendimit me shkrim. Çdo ankesë e mundshme do të shqyrtohet më pas nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar masën e paraburgimit për të dhjetë të dyshuarit, në mesin e të cilëve ndodhen pronarë autoshkollash dhe ekzaminerë. Ata u arrestuan gjatë një operacioni të gjerë policor të zhvilluar më 29 maj, nën dyshimet për keqpërdorime dhe marrje ryshfeti në procesin e pajisjes me patentë shoferi.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, të dyshuarit ngarkohen me vepra penale si ushtrim ndikimi, falsifikim dokumentesh, keqpërdorim i pozitës zyrtare, si dhe marrje dhe dhënie ryshfeti.

“Betimi për Drejtësi” raportoi dje se Prokuroria kishte kërkuar paraburgim për Drilon Ahmetin, Ekrem Ahmetin, Emsh Ahmetin, Avni Abdylin, Sabri Arifajn, Sadri Sutajn, Kamer Shabanajn, Afrim Toçanin, Naim Murselin dhe Leutrim Abdylin, të cilët u arrestuan në aksionin e policisë të enjten në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë. Në total, gjatë operacionit u arrestuan 11 persona, por Prokuroria kërkoi paraburgim për 10 prej tyre.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Drilon Ahmeti, Ekrem Ahmeti dhe Emsh Ahmeti, pronarë të autoshkollës “Driloni” në Prishtinë dhe Viti-Gjilan, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kërkuar dhe pranuar para nga kandidatë për patentë shoferi, me premtimin se mund të ndikojnë në vendimmarrjen e koordinatorit për patentë shofer në Gjilan, Avni Abdyli. Kjo veprimtari dyshohet të ketë ndodhur nga viti 2024 deri më 28 maj 2025.

Me këtë, të pandehurit dyshohen për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit”. Hetimet për këtë rast nga ana e autoriteteve do të vazhdojnë.