Raporti i DASH-it për Terrorizmin: dhjetë kosovarë ishin në kampet në Siri më 2023

para 31 dite

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2023, i dedikuar terrorizmit global, ka evidentuar sfidat dhe përpjekjet e Kosovës në adresimin e këtij fenomeni kompleks. Sipas raportit, dhjetë shtetas të Kosovës vazhdojnë të jenë të bllokuar në kampe për personat e zhvendosur ose qendra ndalimi në Siri.

Raporti i DASH-it për Terrorizmin: dhjetë kosovarë ishin në kampet në Siri më 2023

Ndërkohë, për 70 persona të tjerë, të cilët besohet se ndodhen në këtë shtet, nuk ka informacione as për vendndodhjen dhe as për gjendjen e tyre.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri në vitin 2011, rreth 350 kosovarë raportohet të kenë udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut për të luftuar kryesisht për grupin ekstremist Shteti Islamik (IS).

Kosova ka riatdhesuar deri tani 121 persona nga zonat e konfliktit dhe ka arrestuar 12 shtetas që ishin kthyer nga Siria. Të kthyerit janë përballur me procese gjyqësore, por raporti vë në pah dobësitë e sistemit penal. Ligji kosovar, i cili sanksionon pjesëmarrjen në luftëra të huaja dhe mbështetjen e aktiviteteve terroriste, parashikon dënime nga pesë vjet deri në burgim të përjetshëm. Megjithatë, DASH thekson se dënimet shpesh janë të buta, me lirime të kushtëzuara dhe mbikëqyrje të pamjaftueshme pas lirimit.

Në raport theksohet bashkëpunimi i Kosovës me SHBA-të dhe komunitetin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Byroja Federale e Hetimeve (FBI), prej majit të vitit 2023, ka angazhuar një këshilltar për kundërterrorizëm që mbulon Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky angazhim ka përfshirë pjesëmarrjen në task-forcën kundërterrorizmit dhe dhënien e këshillave për hetime.

Gjithashtu, Kosova ka miratuar strategjinë e re kundër terrorizmit për periudhën 2023-2028, duke vazhduar angazhimin për forcimin e mekanizmave mbrojtës ndaj kërcënimeve.

Raporti përmend disa incidente të lidhura me terrorizmin që kanë ndodhur gjatë vitit 2023. Pas sulmit të serbëve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj, autoritetet e Kosovës shpallën Brigadën e Veriut dhe Mbrojtjen Civile si organizata terroriste. Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ka ngritur tensionet me Serbinë, të cilën Kosova e akuzon për organizim të sulmit. Beogradi mohon akuzat.

Raporti i DASH-it nënvizon përpjekjet e Kosovës për të luftuar ekstremizmin, por edhe dobësitë në adresimin e këtij fenomeni. Me sfida të mëdha përballë, si riatdhesimi i shtetasve të mbetur në Siri, ndjekja penale efektive dhe parandalimi i rekrutimeve, Kosova duhet të vijojë forcimin e institucioneve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për të mbrojtur qytetarët dhe sigurinë kombëtare.

Etiketat

Ofertat e fundit