Qytetari ofron 2 mijë euro ryshfet zyrtarit të Urbanizmit në Prishtinë
Një rast i tentim-korrupsionit ka ndodhur sot në Prishtinë, ku një qytetar dyshohet se ka tentuar të korruptojë një zyrtare të Drejtorisë së Urbanizmit duke i ofruar ryshfet në vlerë prej 2,000 eurosh.
Sipas burimeve të Indeksonline, qytetari në fjalë ka tentuar t’i japë paratë zyrtarit me qëllim për të përshpejtuar ose ndikuar në trajtimin e një çështjeje specifike brenda kësaj drejtorie.
Zyrtarja komunale ka refuzuar kategorikisht shumën e ofruar dhe menjëherë ka njoftuar Policinë e Kosovës për incidentin.
Aktualisht, zyrtarja ndodhet në Njësinë për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ku po jep deklaratën e saj lidhur me rastin.
Ngjarja është konfirmuar zyrtarisht edhe nga vetë Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. “Po është e vërtetë. Një zyrtare jona ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë ngase një qytetar ka tentuar t’ia jipte 2000 euro ryshfet për të kryer një favor. Zyrtarja ka njoftuar drejtorin dhe organet e drejtësisë dhe aktualisht ajo është duke dhënë intervistë”, thuhet në konfirmimin e kësaj drejtorie.
Ky rast vjen si shembull i bashkëpunimit të zyrtarëve me organet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit. Hetimet lidhur me këtë tentativë ryshfeti pritet të vazhdojnë.