QKUK: Dy kirurgë të Klinikës së Fëmijëve suspendohen për gjashtë muaj pa pagesë

04.02.2026

Dy kirurgë të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë ndëshkuar me suspendim gjashtëmujor nga puna, pa pagesë, pas një incidenti fizik të ndodhur më 26 janar 2026.

Vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së, pas shqyrtimit të rrethanave dhe zhvillimit të procedurave disiplinore lidhur me rastin.

Lajmi është konfirmuar për media nga vetë QKUK-ja.“Rasti i ndodhur më 26 janar 2026 në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve është trajtuar nga Komisioni Disiplinor.

Pas shqyrtimit të plotë të rrethanave, është marrë vendim për suspendimin nga puna të dy kirurgëve të përfshirë në incident për një periudhë prej gjashtë (6) muajsh, pa pagesë”, thuhet në njoftimin zyrtar të QKUK-së.Sipas të njëjtit njoftim, dy mjekët kanë të drejtë ankese, pasi rasti ndodhet ende në fazën e paraqitjes së ankesave.

Kujtojmë se kirurgët B.K. dhe Xh.A. ishin përfshirë në një përplasje fizike, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme. Incidenti kishte nxitur reagime të shumta në opinionin publik, për shkak se ndodhi brenda një institucioni shëndetësor publik.