QKUK: 4,423 foshnja erdhën në jetë nga janari deri në mesin e qershorit

18.06.2026

Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka regjistruar 4,423 lindje gjatë periudhës janar – 15 qershor 2026, duke vazhduar të mbetet një nga institucionet kryesore të kujdesit shëndetësor për nënat dhe të porsalindurit në vend.

Sipas të dhënave të publikuara, nga numri i përgjithshëm i lindjeve, 3,090 kanë qenë lindje spontane, ndërsa 1,333 janë realizuar me prerje cezariane.

Një rezultat i rëndësishëm është edhe trajtimi i suksesshëm i foshnjave të lindura para kohe. Gjatë kësaj periudhe, 318 foshnja premature, pas kujdesit intensiv dhe trajtimit të specializuar nga ekipet mjekësore, janë liruar në gjendje të mirë shëndetësore për në shtëpi.

Nga QKUK bëjnë të ditur se këto rezultate janë fryt i punës së vazhdueshme të mjekëve specialistë, infermierëve dhe mamive, të cilët ofrojnë shërbime të specializuara për gratë dhe të porsalindurit.

Klinika ofron një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë kontrollet gjinekologjike, përcjelljen e shtatzënisë, lindjet normale dhe operative, si dhe trajtimin e rasteve komplekse obstetrike dhe gjinekologjike.

Shëndeti i gruas dhe i të porsalindurit mbetet ndër prioritetet kryesore të sistemit shëndetësor, me synimin për të garantuar kujdes cilësor dhe siguri për çdo nënë dhe foshnjë.