Prokuroria interviston dhe ndalon për 48 orë kryeinspektorin, Hekuran Nikçi

27.02.2025

Kryeinspektori i Punës dhe Menaxheri i Burimeve Njerëzore në pranga, dyshohen për keqpërdorim dhe shkelje të të drejtave të punës

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar arrestimin e dy zyrtarëve të lartë të Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi, Kryeinspektor, dhe Naim Shalaku, U.D. Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore. Të dy zyrtarët janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për kryerje të veprave të ndryshme penale.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Hekuran Nikçi dyshohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenim të të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “Përdorim të paautorizuar të pasurisë”. Ndërsa, Naim Shalaku dyshohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Cenim të të drejtave nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi”.

Arrestimet janë kryer nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare – Njësia kundër Pastrimit të Parave, në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, e njofton opinionin publik, se sot, me datë 27.02.2025, nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare – Njësia kundër Pastrimit të Parave në kuadër Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, janë intervistuar të dyshuarit Hekuran Nikçi, Kryeinspektor i Inspektoratit Qendror të Punës në Republikën e Kosovës dhe Naim Shalaku, U.D Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin Qendror të Punës, të cilët me Urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, janë ndalur për 48 orë,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Prokuroria ka njoftuar se brenda afatit ligjor, do të paraqesë masën për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda.