Profesori i buqësisë: Edhe këtë vit s’do të ketë prodhim të mjaftueshëm vendor të grurit

07.07.2024

Ka filluar fushata e korrje-shirjeve në shumicën e vendeve në Kosovë. Ani pse ende nuk kanë marrë subvencionet nga Qeveria, bujqit po e quajnë një vit të suksesshëm, ndërsa ekspertët thonë se edhe këtë vit nuk do të ketë prodhim të mjaftueshëm të grurit.

Profesori i buqësisë: Edhe këtë vit s’do të ketë prodhim të mjaftueshëm vendor të grurit Foto: Ilustrim

Bujku Valon Vehapi, nga Suhadolli i Lipjanit, i cili ka rreth 80 hektarë me grurë dhe misër, ka thënë për KP se ende nuk kanë filluar subvencionimet në bujqësi.

Ai thotë se kanë marrë informacion nga ministria se janë aprovuar mjetet për një pjesë të madhe të fermerëve.

Kostoja e prodhimit sipas bujkut Valon Vehapi do të jetë 1.100 euro për një hektar ndërsa gruri është 20 centë.

“Kemi filluar diku para gjashtë ditëve, është një vit që nuk e kemi mbërri këtë rendiment prej që kur merrem me bujqësi, këtë rendiment nuk e kam mbërri kurrë. Diku sillet mesatarja e grurit shtatë ton për hektar, çka është një rekord tek unë si bujk, por edhe te të gjithë bujqit e tjerë.. Unë i kam rreth 80 hektarë me grurë, janë po ashtu edhe me misër. Nëse nuk e kishim pasur këtë rendiment që e kemi, me çmimet e grurit që e kemi këtë vit, kishim dalë shumë me humbje për arsye se çmimi është shumë i lirë. Kostoja e prodhimit derisa unë finalizoj del diku 1.100 euro për një hektar, gruri është 20 centë. Vitin e kaluar, por edhe këtë vit ende është herët, mirëpo lajmëruan prej ministrisë që këtë javë vetëm sa janë aprovuar mjetet për një pjesë të madhe të fermerëve…Kosova merr më së shumti në rajon për momentin, mirëpo që çka do që është dhënë më shumë ishte mirë, se përveç shtetit, për arsye se ngritja e subvencioneve që është bërë ka ardhur deri te rendimente të larta të grurit, për arsye se po marrin të holla po blejnë pleh dhe po ia hedhin arave dhe kjo është arsyeja pse kemi mbërri këtë vit me 7 ton për hektar”, ka thënë Vehapi.