Presidentja Osmani uron Kurban Bajramin: Thirrje për solidaritet, dashuri dhe mirëkuptim
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar festën e Kurban Bajramit, duke theksuar se kjo ditë shërben si një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve.
Përmes një postimi në Facebook, Presidentja Osmani ka shprehur urimet e saj më të përzemërta:
“Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ju përcjell urimet më të përzemërta për paqe, harmoni dhe begati në çdo familje. Kjo festë shpërfaq shpirtin e solidaritetit, na kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh.”
Ajo vijoi duke shprehur dëshirën që kjo ditë të sjellë gëzim dhe shëndet në çdo shtëpi:
“Në këtë ditë të veçantë, uroj që në secilën shtëpi të mbizotërojë gëzimi, shëndeti dhe dashuria. Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë. Gëzuar dhe me fat Kurban Bajramin!”
Urimi i Presidentes Osmani vjen në ditën e parë të Kurban Bajramit, një festë që për besimtarët myslimanë simbolizon sakrificën, solidaritetin dhe bashkimin familjar.