Policia në Ferizaj shpërndan pako ushqimore për familjet në nevojë
Stacioni policor në Ferizaj, në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe Qendrën për Punë Sociale, ka shpërndarë sot 16 pako ushqimore për disa familje në nevojë në këtë komunë.
Secila pako kishte një vlerë prej 140 eurosh, duke u siguruar kështu mbështetje thelbësore.
Këto pako u siguruan falë të hyrave të grumbulluara gjatë aktivitetit humanitar “Vrapojmë me Policinë Tonë”, një minimaratonë e mbajtur më 12 qershor 2025, me rastin e Ditës së Çlirimit të Ferizajt.
Ky aktivitet kishte për qëllim promovimin e solidaritetit, shëndetit dhe sportit në shërbim të komunitetit, duke ndërtuar një urë lidhëse mes Policisë dhe qytetarëve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë pjesëmarrësit në minimaratonë, të cilët përmes blerjes së fanellave kontribuuan drejtpërdrejt në sigurimin e këtyre pakove ushqimore për familjet në nevojë. Kjo iniciativë tregon përkushtimin e Policisë jo vetëm në ruajtjen e rendit, por edhe në mbështetjen sociale të komunitetit.