Policia kap një të ri me substanca narkotike, sekuestron edhe armë zjarri në Ferizaj

08.07.2025

Mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00, Njësiti i Hetimeve në stacionin policor të Ferizajt, në bashkëpunim me njësitin reagues, ka ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor një person të dyshuar për posedim narkotikësh.

Sipas policisë, bëhet fjalë për P. R., 22 vjeç, tek i cili gjatë kontrollit trupor janë gjetur substanca të dyshuara narkotike. Për këtë është iniciuar rast penal për veprën “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.

Hetimet paraprake kishin siguruar edhe një fotografi ku dyshohej se i riu posedonte armë zjarri. Si pasojë, është kryer kontroll në fshatin Pleshinë, ku janë sekuestruar dy armë – një pushkë e gjatë përsëritëse me 26 fishekë dhe një pushkë gjuetie artizanale me 12 fishekë.

Verifikimet treguan se armët i përkasin I. R., 47 vjeç, por me leje të skaduar. Ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të dy të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.