Policia e Kosovës gjen armë, municion dhe granata dore në një shtëpi të braktisur në Zveçan
Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe mjete shpërthyese gjatë kontrollit të një shtëpie të braktisur në fshatin Joshevik të komunës së Zveçanit.
Sipas njoftimit zyrtar, më 24 janar 2026, rreth orës 09:20, pas pranimit të informatave përmes kanaleve operative, njësitë policore kanë realizuar kontroll në objektin e dyshuar, ku janë gjetur dhe konfiskuar:
- 1 armë automatike AK-47
- 1 pushkë gjysmë automatike dy tytëshe
- 10 karikatorë të zbrazët
- 6 karikatorë të mbushur me nga 30 fishekë
- 84 fishekë për armë automatike
- 14 fishekë për pushkë gjysmë automatike
- 1 rrip për fishekë
- 2 granata dore M50
- Pajisje për pastrimin e armëve
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Deri në këtë fazë të hetimeve, nuk ka persona të arrestuar në lidhje me rastin.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme, duke i inkurajuar që çdo rast të dyshimtë apo veprim të kundërligjshëm ta raportojnë në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor, me qëllim të garantimit të sigurisë për të gjithë qytetarët, pa dallim.


