Policia e Kosovës arreston katër persona në dy raste të kontrabandës me migrantë
Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në dy raste të veçanta të kontrabandës me migrantë, të ndodhura më 13 maj 2026 në zonat kufitare të Kosovës.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit të policisë, rasti i parë ka ndodhur në zonën e Rugovës, ku zyrtarët e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Rahovec kanë ndaluar një automjet të drejtuar nga një mashkull kosovar me inicialet B.K.
Në automjet janë gjetur 12 shtetas të Sudanit, të cilët posedonin dokumente azil-kërkimi nga Greqia.
Dyshohet se i arrestuari po i transportonte migrantët drejt kufirit me Malin e Zi. Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje, ndërsa migrantët janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për Emigrantë në Magure.
Ndërkohë, rasti i dytë është regjistruar në fshatin Seqishtë të Hanit të Elezit, ku policia gjatë realizimit të planit operativ “Migrimi ilegal” ka vërejtur me dron dy persona duke kaluar ilegalisht kufirin nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.
Në afërsi të pikëkalimit kufitar, një automjet po i priste për transportim.Njësitë policore kanë ndaluar automjetin dhe kanë arrestuar tre shtetas kosovarë me inicialet Q.C., P.L. dhe A.B., si dhe një shtetas të Bangladeshit. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa migranti është trajtuar nga njësia e migrimit dhe është dërguar në Qendrën e Strehimit për Migrantë në Vranidoll.
Policia ka bërë të ditur se gjatë aksionit janë sekuestruar edhe një automjet me targa vendore dhe katër telefona mobilë.
