Përmirësohen shërbimet e gjendjes civile në komunat e Kosovës
Shërbimet e gjendjes civile në komunat e Kosovës janë përmirësuar sot, pas disa ditësh me vështirësi në funksionim.
Lajmi është konfirmuar për Klan Kosova nga Nita Panduri-Mullarama, kryesuese e Kolegjit të Drejtorëve Komunalë të Administratës.
Ky përmirësim vjen pas reagimit të djeshëm nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), i cili kishte ngritur shqetësimet për problemet në rrjetin që menaxhon këto shërbime, sistem ky që është nën kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Regjistrit Civil.
AKK kishte theksuar se qytetarët, veçanërisht ata nga diaspora, nuk po mund të pajisen me dokumentet personale të nevojshme për shkak të problemeve teknike në sistem. Me përmirësimin e sotëm, pritet që ofrimi i këtyre shërbimeve të rikthehet në normalitet në të gjitha komunat e vendit.