Përkundër kritikave të opozitës, dërgohet në seancë Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor
Përkundër kritika të partive opozitare, Komisioni për shëndetësi ka dërguar për në seancë Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, raporton Ekonomia Onlinë.
Opozita e cilësoi të vonuar dhe pa zgjidhje të qëndrueshme, ndërsa nga partia në pushtet konsiderojnë se “reforma në shëndetësi po merr një dinamizëm më të madh”.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka theksuar se ky projektligj është i obligueshëm në bazë të rregullores së punës së Kuvendit dhe pa marrë parasysh verdiktin ky projektligj detyrimisht shkon në kuvend për shqyrtim.
Zemaj theksoi se Projektligji për sigurime shëndetësore është i vonuar dhe se ai në përmbajtje nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme.
“Më shumë është përgatitur për të mbuluar dështimin katërvjeçar të qeverisë në sektorin e shëndetësisë dhe ky ligj nuk mund të improvizohet në fund të mandatit sa për të mbuluar procedurën legjislative”, ka theksuar Zemaj.
Deputeti i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Haxh Avdyli ka theksuar se reforma në shëndetësi po merr një dinamizëm më të madh.
“Besoj që deri në fund të mandatit do të kemi edhe Ligjin për shëndetësi, Ligjin për inspektoratet po edhe Ligjin për sigurimet shëndetësore të cilat do të rrumbullakojmë reformën në shëndetësi”, ka theksuar Avdyli.
Sipas tij, ky projektligj i ka adresua të gjitha mangësitë të cilat kanë penguar që Kosova deri sot mos të ketë sigurime shëndetësore.
Kurse deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj tha se do të jetë shumë e vështirë që të përjetësohet në praktikë, sepse sipas tij ka ardhur vonë dhe nuk është koha të amendamentohet.
Sipas tij për të realizuar sigurime shëndetësore nevojiten minimumi katër vite që të grumbullohet fondi dhe që të funksionalizohet procesi.
“Është e çuditshme pse pas tri viteve qeverisje sillet këtu, sikur ta kishim pasur në fillim të vitit 2021 vërtetë do të kishim dhënë kontributin tonë”, theksoi Dreshaj
Dreshaj u shpreh se ky projektligj me të gjitha premisat është i paraparë të dështojë.