Përkujtohet 26-vjetori i masakrës së Dubravës, Haxhiu: Drejtësia është borxh ndaj viktimave

para 31 dite

Sot, në 26-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, është mbajtur një tubim përkujtimor në nderim të të rënëve dhe të mbijetuarve të këtij krimi të rëndë.

Përkujtohet 26-vjetori i masakrës së Dubravës, Haxhiu: Drejtësia është borxh ndaj viktimave

Në tubimin e mbajtur në ambientet e burgut të Dubravës morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale. Të pranishëm ishin kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe deputeti Nait Hasani, si dhe të mbijetuar të masakrës.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj theksoi se vendosja e drejtësisë për masakrën e Dubravës është një obligim i shtetit ndaj viktimave, familjarëve të tyre dhe ndaj të ardhmes së shoqërisë.

“Ndër aktet më çnjerëzore të regjimit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, ishte masakra në burgun e Dubravës. Të burgosurit, të pambrojtur, të shtrënguar pas mureve të larta të një burgu, u shndërruan në shënjestra të një masakre të planifikuar dhe të pamëshirshme. Rreth 1000 civilë të pambrojtur u vunë në shënjestër të arsenalit të shumtë të gjuajtjeve të pakontrolluara brenda një hapësire të mbyllur pa shtegdalje, ku prej tyre 117 u vranë dhe rreth 200 u plagosën. Kujtimi i kësaj ngjarje dhe nderimi ndaj viktimave është edhe thirrje për angazhim me vendosmëri të institucioneve për sjelljen e drejtësisë. Drejtësia për Dubravën është borxh që shteti ua ka viktimave, familjarëve dhe vetë së ardhmes sonë si shoqëri. Sot, në 26 vjetorin e kësaj masakre, përulemi me nderim para kujtimit të të rënëve. Ata janë zëri që na thërret të mos harrojmë, të mos heshtim dhe të mos ndalemi derisa drejtësia të vihet në vend. Lavdi përjetë viktimave të masakrës së Dubravës. Kujtimi i tyre do të jetë gjithmonë udhërrëfyes i angazhimit tonë për drejtësi,” u shpreh ministrja Haxhiu.

Etiketat

Ofertat e fundit