Përfundojnë takimet mes Kosovës dhe Serbisë për dinarin

25.03.2024

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë përfunduar takimet në Bruksel për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë më 1 shkurt.

Përfundojnë takimet mes Kosovës dhe Serbisë për dinarin Foto: Ilustrim

Fillimisht, më herët gjatë ditës, u zhvillua një takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Më pas, Lajçak zhvilloi takime dypalëshe me dy delegacionet.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë ende nuk janë prononcuar për media dhe nuk dihet nëse ka pasur pajtim për çështjen e dinarit.

Takimet e sotme ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.