Peci kundërpërgjigjet akuzave të PDK-së: “Nuk mund të më ndaloni as me ujë e as me plumba”

para 17 dite

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me një të afërm të tij që ka përfituar nga një grant bujqësor. PDK-ja ka kërkuar shkarkimin e Pecit dhe të kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Fitore Pacolli, si dhe fillimin e hetimeve penale.

Peci kundërpërgjigjet akuzave të PDK-së: “Nuk mund të më ndaloni as me ujë e as me plumba”

Në një postim në Facebook, Peci i ka cilësuar akuzat si “shthurje mentale” dhe “shpifje”. Ai ka deklaruar se nuk do të lejojë që të ndalet në punën e tij dhe se do të zbulojë të gjitha papastërtitë e së kaluarës.

“Siç edhe ua kam bërë me dije në fillim të mandatit, nuk mundeni me më ndalë as me ujë e as me plumba! Po e vështroj me kujdes shthurjen mentale të akuzave e shpifjeve!” ka shkruar Peci.

Ministri ka akuzuar PDK-në dhe LDK-në për një fushatë negative kundër tij dhe ka paralajmëruar se do t’i demaskojë të gjithë ata që janë përfshirë në korrupsion dhe abuzim me pushtetin.

“Nëse deri tash kam treguar etikë në të shprehur, nga tash e tutje do flas më hapur se asnjëherë tjetër e do t’iu demaskoi si kurrë më parë!” ka shtuar ai.

Peci ka theksuar se suksesi i tij në sektorin e bujqësisë po shkakton panikë tek forcat e vjetra politike, të cilat janë mësuar me korrupsion dhe nepotizëm.

“Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim! Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”, ka përfunduar Peci.

Ndryshe ekonomisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, në një konferencë për media ka bërë thirrje për hetime penale ndaj Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pasi ky i fundit thjesht-ashtu i ka dhënë subvencion bujqësor vëllaut të deputetes së Vetëvendosjes, njëherit kryetare e komisionit për bujqësi, Fitore Pacollit.

“Prandaj, ne kërkojmë shkarkimin e Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së këtij komisioni, pasi që konsiderojmë se këtë funksion e ka shfrytëzuar me qëllim të ushtrimit të ndikimit, i cili ka quar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllau i saj”.

“Nga ana tjetër, për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë. Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro dhe nëse ky përfitim është rezultat i raportit të vartësisë zyrtare që ky ministër e ka me komisionin të cilin e udhëheqë Fitore Pacolli”, tha Mustafa.

Etiketat