PDK thotë se vendimin për shtrenjtim të rrymës do ta dërgojnë deri në Kushtetuese
Në këtë konferencë për media, shefi i GP të PDK-së ka kritikuar pozitën për abstenimin që e bënë për të futur në rend dite si mocion urgjent për debat parlamentar rreth vendimit të ZRRE-së për ndryshim të tarifave të rrymës. Tahiri ka shtuar se sot ZRRE ka marrë vendim jashtëzakonisht të dëmshëm për jetën e […]
Foto: Ilustrim
Në këtë konferencë për media, shefi i GP të PDK-së ka kritikuar pozitën për abstenimin që e bënë për të futur në rend dite si mocion urgjent për debat parlamentar rreth vendimit të ZRRE-së për ndryshim të tarifave të rrymës.
Tahiri ka shtuar se sot ZRRE ka marrë vendim jashtëzakonisht të dëmshëm për jetën e qytetarëve në vendin tonë, e që sipas tij një vendim që rëndon jetën e çdo qytetari.
“Sot, ZRRE ka marrë një vendim jashtëzakonisht të dëmshëm për jetën e qytetarëve në vendin tonë, një vendim që e rëndon jashtëzakonisht shumë jetën e çdo qytetari. Kostoja e jetesës në Republikën e Kosovës po bëhet e papërballueshme për qytetarët tanë. Mosanagzhimi qeverisë, mosangazhimi i duhur i kësaj mazhorance çdo ditë e më shumë po e rëndon gjendjen sociale në vendin tonë.
Pra, paga e një mjeku, paga e një punëtori në sektorin privat, paga e një arsimtari, paga e secilit që paguhet nga buxheti i Kosovës dhe nga ai privat, sot e bën të papërballueshme mbulimin e shpenzimeve dhe kosoton e jetesës në vendin tonë”, ka deklaruar Tahiri.
Po ashtu, sipas tij ky vendim i marrë nga Bordi i Drejtorëve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të ndikojë në rritjen e numrit të qytetarëve që dëshirojnë të largohen nga Kosova, kjo si shkak gjendja e rënduar ekonomike.
“Ne besojmë që ky bord duhet të shkarkohet sepse janë njerëz të paaftë të cilët po e marrin në qafë jetën e qytetarëve tanë, po e rëndojnë jashtë mase jetën e qytetarëve tanë. Së bashku me grupet tjera parlamentare LDK dhe AAK padyshim që do të ftojmë një seancë të jashtëzakonshme me të cilën do të kërkojmë të votohet një rezolutë, e cila i kërkon ZRRE-së ta anulojë këtë vendim skandaloz për shtrenjtimin e energjisë.
Po ashtu, në ditët në vijim do të bëjmë kundërshtimin e këtij vendimi, në rast se nuk anulohet, përmes institucioneve gjyqësore në vendin tonë”, tha Tahiri.
Gjithashtu, Abelard Tahiri ka deklaruar se do të ndjekin edhe procedurat gjyqësore, këtu duke filluar nga Gjykata Themelore e deri tek Gjykata Kushtetuese.
“Mosvotimi i kësaj rezolute na jep edhe më shumë argumente neve si deputetë të opozitës që t’iu drejtohemi instancave gjyqësore. Ato janë duke fillu nga Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe duke përfundu në Gjykatën Kushtetuese në rast se është e nevojshme.
Mirëpo për këtë çështje nuk mund të aplohet direkt në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo duhet përmes mekanizmave pra të Departamentit Administrativ në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Besoj, tashmë jemi duke u koordinu me shefat e grupeve parlamentare, dhe do të tentojmë që në një afat sa më të shpejtë në mënyrë që të kërkojmë anulimin e këtij vendimi”, ka deklaruar Tahiri.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar vendosjen e bllokut tarifor në 800 kËh pas atij paraparak në 600 që ishte propozuar më parë. Propozimi ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave, dhe është miratuar në mënyrë unanime.