PDK: Rendi kushtetues duhet të rikthehet, Kuvendi të vazhdojë punën
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, duke insistuar në rikthimin e, siç thotë kjo parti, rendit kushtetues në vend.
Foto: Ilustrim
Në një deklaratë, PDK i është drejtuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, duke i kërkuar që të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
“PDK është në Kuvend dhe kërkon me vendosmëri rikthimin e rendit kushtetues në vend. Reflektoni – HAPENI KUVENDIN!”, thuhet në deklaratën e partisë.
PDK ka theksuar se roli i kryesuesit të seancës konstituive është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.
Sipas PDK-së, përgjegjësia e Deharit është të mundësojë zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e plotë të Kuvendit.
“Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet më tej në reagim.
PDK ka përsëritur kështu kërkesën për hapjen dhe vazhdimin e punimeve të Kuvendit, duke e konsideruar këtë të domosdoshme për funksionimin kushtetues të institucioneve.
