Pas tërheqjes së KFOR-it nga ndërtesa komunale e Zveçanit, aty vendoset autoblinda e Njësisë Speciale

25.02.2024

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi të dielën se i ka tërhequr njësitë e veta nga ndërtesa e komunës së Zveçanit, duke vlerësuar se gjendja e sigurisë në qytetin verior të Kosovës është stabilizuar.

Pas tërheqjes së KFOR-it nga ndërtesa komunale e Zveçanit, aty vendoset autoblinda e Njësisë Speciale Foto: Ilustrim

Por, megjithatë ndërtesa e kuvendit komunal në Zveçan nuk ka mbetur pas “përkujdesje”. Menjëherë aty është vendosur një autoblindë e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe disa automjete të tjera të Policisë.

Së paku kështu tregojnë pamjet e publikuara nga media lokale, “Kontakt Plus”.

Ndryshe, KFOR përmes një komunikate për media, tha se këto njësi nga Batalioni i Forcave Operacionale Rezervë do të mbesin në këtë pjesë të vendit “për të kryer patrullime të rregullta, në mënyrë që të garantojnë mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit” që jetojnë në komunën e Zveçanit.

KFOR tha se do të vazhdojnë patrullimet e rregullta në zonë, duke ritheksuar koordinimin me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

“KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë.”

Megjithatë, pak orë para njoftimit të KFOR-it për gjendje të stabilizuar në Zveçan, Policia e Kosovës ka hapur rast për “nxitje të urrejtjes, përçarje dhe mosdurim”, pasi disa persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë djegur flamurin e Kosovës, në afërsi të kësaj komune.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, i cili ka bëri të ditur se për kryerjen e një akti të tillë dyshojnë në tre të mitur.

“Po. Pak më larg Komunës ka qenë.. Nja tre të rinj, sipas gjasave të mitur…”, tha Elshani.

Nga vendi i ngjarjes, organet e hetuesisë kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, për të zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti dhe për të arritur që të identifikohen personat e dyshuar.

Ndryshe, në fillim të vitit të kaluar, NATO-ja kishte njoftuar për shtimin e 700 trupave të këtij batalioni në veri, pas rritjes së dhunës dhe tensioneve në këtë pjesë të vendit.

Tensionet në veri të Kosovës filluan të rriten më 26 maj 2023, kur serbët në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kundërshtuan hyrjen në ndërtesa komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë – të zgjedhur në zgjedhjet e prillit të atij viti.

Këto votime ishin bojkotuar nga serbët lokalë dhe partitë serbe.

Dhuna kulmoi në Zveçan më 29 maj 2023, kur protestuesit serbë u përleshën me forcat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra ushtarë dhe protestues u plagosën gjatë përleshjeve.

KFOR-i ka aktualisht mbi 4.400 ushtarë në Kosovë.