Pas pushimit pranveror, sot rifillon procesi mësimor

12.04.2021

Pas një jave pushim pranveror, sot, nxënësit e klasave të para deri tek klasat e pesta rikthehen në bankat shkollore për të vazhduar procesin mësimor në mënyrë fizike. Ndërsa nxënësit e klasave nga 6-ta deri në klasat e 12-ta do të zhvillojnë mësimin online, kjo si shkak i pandemisë COVID-19 dhe masat që u morën […]

Pas pushimit pranveror, sot rifillon procesi mësimor Foto: Ilustrim

Pas një jave pushim pranveror, sot, nxënësit e klasave të para deri tek klasat e pesta rikthehen në bankat shkollore për të vazhduar procesin mësimor në mënyrë fizike.

Ndërsa nxënësit e klasave nga 6-ta deri në klasat e 12-ta do të zhvillojnë mësimin online, kjo si shkak i pandemisë COVID-19 dhe masat që u morën nga Qeveria e Kosovës, kështu ka bërë të ditur edhe Ministrja e Arsimit, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

“Mësimi me praninë fizike të fëmijëve në institucionet edukative arsimore do të organizohet për edukimin e hershëm dhe arsimin fillor, që përfshinë: niveli zero (çerdhet dhe kopshtet), klasa përgatitore që mbajnë mësim në shkolla fillore, si dhe klasat 1 deri 5, duke respektuar rekomandimet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen nga COVID-19. Ndërkaq për klasat 6 deri 9 nga shkollimi i mesëm i ulët, si dhe klasat 10 deri 12 nga shkollimi i mesëm i lartë, mësimi do të mbahet me platformat online, ku edhe duhet të realizohen përgatitjet e duhura për periudhën e tretë të vitit shkollor 2020/2021”, thuhej në njoftimin e MAShTI-it.

Ndërsa, në një prononcim për SuharekaOnline, ditë më parë drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani bëri të ditur se edhe në Komunën e Suharekës mësimido të filloj në shkolla për nxënësit e klasave të para deri në ato të pesta.

Ai ka bërë të ditur se është e mirëpritur pjesa e vendimit që mësimi të vazhdojë në mënyrë fizike për nxënësit deri në klasën e pestë, ndërsa për pjesën tjetër do të jetë pak sfiduese edhe pse tashmë është bërë një përvojë nga viti i kaluar dhe se do të vazhdojë me anë të platformave Zoom, Classroom dhe forma të tjera.

“Si DKA kemi lëshuar një urdhëresë për drejtorët e shkollave që të ju krijojnë kushte mësimdhënësve që ta zhvillojnë mësimin nga objektet shkollore, ku janë kushtet më komode” ka thënë Bajselmani.