Pas ankesave të bizneseve, Rizvanolli detajon procesin e liberalizimit të energjisë dhe rolin e KEK-ut
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) do të vazhdojë të furnizojë me energji elektrike kompanitë që kanë dalë në tregun e lirë, por nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontrata furnizimi, për 60 ditët e para të këtij procesi.
Ajo ka bërë të ditur se çmimi i energjisë elektrike dje ka qenë 64.55 euro për megavat orë (MWh), ndërsa sasia e blerë për sot është kontraktuar me një çmim prej 86.75 euro për MWh, duke i konsideruar këto çmime si “konkurruese”.
“Përtej frikës së sinqertë nga pasiguria që sjell liberalizimi i tregut në afat të shkurtër, e përtej zhurmës e klithmave të pasinqerta të disave (pak por të zëshëm), të ndajmë disa çaste për ta përbrendësuar e çmuar se çfarë është duke ndodhur. ALPEX është një ëndërr e kahmotshme e realizuar për Kosovën. Mekanizmi përmes të cilit tregu energjetik në të dy anët e kufirit bashkohet, e komplementariteti mes kapaciteteve tona energjetike shfrytëzohet më së miri. ALPEX është një treg që operon me rregullat më rigoroze e standardet më të larta të Evropës, ku gjithçka është transparente e çdo transaksion lë gjurmë të pashlyeshme për të mundësuar monitorim rigoroz e hetim në rast nevoje. Në fotografinë e madhe, ALPEX është vetë antidoti i ‘mafisë energjetike’ që me të vërtetë ka funksionuar gjatë në Ballkan e me gjasë funksionon ende – por nuk ka të bëjë aspak me Qeverinë Kurti,” ka shkruar Rizvanolli.
Ajo ka theksuar se ALPEX është themeluar më 1 shkurt 2024, një moment që e ka cilësuar si “historik”.
“Sa i përket konkurrencës në tregun e furnizuesve, në kohën kur u bë Ligji për Energjinë Elektrike që parasheh liberalizimin e tregut (2016), ishte vetëm një furnizues: KESCO. Sot janë 21 furnizues të licencuar nga ZRrE, prej të cilëve së paku 5 deklarojnë se janë aktiv e të gatshëm të japin oferta. E tash që janë – jo 3 – por 1300 konsumatorë në treg, numri i furnizuesve e konkurrenca mes tyre sigurisht që do të rriten, në të mirë të konsumatorëve, sektorit e gjithë ekonomisë,” ka shkruar Rizvanolli.
Ministrja ka shtuar se Kosova ka ende shumë punë për të bërë drejt një tregu të lirë dhe të integruar në tregun e BE-së.
“Kosova, si edhe vendet e rajonit, ka ende për të mësuar për tregjet e energjisë elektrike e ende shumë rrugë për të bërë deri në një treg të lirë e të integruar në tregun e Bashkimit Evropian (që parashihet më 2030). Bizneset tona gjithashtu kanë shumë për të mësuar në drejtim të operimit në treg të lirë e optimizimit të konsumit të energjisë elektrike. Këto mësime mund të duken të vështira tani, por ato duhet të mësohen sot në mënyrë që bizneset tona të jenë konkurruese në të ardhmen kur të jemi pjesë e tregut evropian të integruar të energjisë, me të gjitha mundësitë por edhe sfidat e veta me politika si ajo e çmimit të karbonit.”
Rizvanolli ka siguruar se Qeveria do të jetë e sinqertë dhe e përkushtuar në këtë proces.
“Në këtë rrugëtim, sigurisht që do të ketë sfida edhe për bizneset edhe për institucionet. Ndoshta edhe do të bëjmë ndonjë gabim ndonjëherë, por kjo është mënyra se si mësojmë e si rritemi për t’u bërë konkurrues në treg e për të neutralizuar ndikimin e atyre që nuk janë as miqt tonë e as të ndershëm në biznes. Nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju sigurojmë që në këtë rrugëtim do të jemi të sinqertë, të përkushtuar e së bashku për interesin publik: për të mirën e konsumatorit, sektorit e vendit,” ka përfunduar Rizvanolli.
Nga dje, 1 qershor, kompanitë me më shumë se 50 punëtorë apo mbi 1 milion euro fitim kanë hyrë në tregun e lirë të energjisë. Ky vendim, i marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ka shkaktuar reagime të ashpra nga përfaqësuesit e bizneseve, të cilët argumentojnë se çmimet e energjisë do të jenë shumëfish më të larta.
Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar pezullimin e vendimit për një vit, por Qeveria e Kosovës ka refuzuar këtë kërkesë, duke argumentuar se pezullimi do të rriste çmimet për qytetarët dhe bizneset e vogla.