Pas 48 vitesh pritje, Kushtetuesja konstaton shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm në rastin e parashtruesit Muhamet Morina, një kontest pronësor që ka nisur që nga viti 1978 dhe ende nuk ka marrë një epilog përfundimtar.
Foto: Ilustrim
Sipas aktgjykimit KI296/25, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se procedura gjyqësore, e cila po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec, ka tejkaluar çdo afat të arsyeshëm, duke shkelur nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti lidhet me një padi për vërtetimin e së drejtës së pronësisë mbi disa ngastra kadastrale. Edhe pse në vitin 1986 ishte marrë një vendim në favor të paditësit, procedura është ndërprerë disa herë për shkak të vdekjes së palëve dhe nevojës për identifikimin e trashëgimtarëve.
Gjykata Kushtetuese theksoi se, ndonëse çështja përmban elemente të ndërlikuara procedurale, këto nuk mund të justifikojnë zvarritjen e procesit për dekada të tëra. Sipas saj, parashtruesi nuk ka kontribuar në vonesat, por në disa raste ka kërkuar vazhdimin e procedurës.
Në aktgjykim thuhet se shteti ka detyrim të organizojë sistemin gjyqësor në mënyrë që qytetarëve t’u garantohet marrja e një vendimi përfundimtar brenda një kohe të arsyeshme. Gjykata vlerësoi se pasiguria e gjatë lidhur me të drejtën e pronësisë ka pasoja serioze për sigurinë juridike dhe të drejtat pronësore të palës.
Përfundimisht, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec ka shkelur të drejtën e parashtruesit për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, ndërsa procedura mbetet ende në shqyrtim në Gjykatën e Apelit.
