OVL e UÇK-së: Drejtësia do të triumfojë sërish, ashtu si 13 vjet më parë

29.11.2025

Trembëdhjetë vjet më parë, Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata në Hagë, ku po gjykohej për krime lufte. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë vendim si një vulë të së vërtetës dhe një fitore historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë Serbisë.

“Vendimi i pafajësisë për Ramush Haradinajn nuk ishte vetëm drejtësi për një komandant, por drejtësi për gjithë luftën e UÇK-së. Ishte dëshmi se edhe kur përballemi me gjykime politike, e vërteta e luftës sonë del fituese”, ka deklaruar OVL e UÇK-së.

Në një mesazh të dhënë për publikun, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur besimin se e njëjta drejtësi do të ndodhë edhe për ata që sot janë të ulur në bankën e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Salih Mustafën, Pjetër Shalën, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Bashkim Smakajn.

“Si atëherë, edhe sot OVL UÇK qëndron me të njëjtin besim të palëkundur derisa drejtësia të konfirmojë pafajësinë e tyre,” thuhet në njoftimin e organizatës.

Sipas OVL e UÇK-së, lufta e Ushtrisë Çlirimtare nuk është njollosur kurrë, as në fushëbetejë, as në gjykatë, dhe drejtësia për komandantët dhe veteranët do të vijë patjetër. “Ashtu siç u provua e drejta për komandantët e tjerë, edhe për ta do të vijë dita e bardhë, sepse lufta e UÇK-së nuk është njollosur kurrë, as në fushëbetejë, as në gjykatë”, përfundon organizata.