Osmani pret vota edhe nga LDK-ja për t’u zgjedhur presidente

Osmani pret vota edhe nga LDK-ja për t’u zgjedhur presidente

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila është kandidate për presidente, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentes në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës duhet të jenë të paktën 81 vota në mënyrë që procesi i zgjedhjes së presidentit të jetë kushtetues.

Në emisionin Kallzo Pernime Osmani tha se është e bindur që ka njerëz në LDK që besojnë se zgjidhja më e mirë është që ajo të jetë presidente.

“Unë jam e bindur që ka shumë njerëz që sot janë qoftë kryetarë komunash, qoftë njerëz të LDK-së, besojnë që një zgjidhje e tillë (Vjosa presidente) do të ishte më e mira për vendin tonë”, tha fillimisht ajo.

“Është në vullnetin e deputetëve, edhe të LDK-së. Mendoj që të gjithë deputetët duhet të jenë të përgjegjshëm dhe pastaj mund të votojnë si të duan”, tha Osmani.

E pyetur nëse do të rrinë në Kuvend deputetët për të bërë kuorumin e mjaftueshëm ajo thotë se nuk e di qëndrimin e partive.

“Nuk kam informatë se cili do të jetë qëndrimi i partive të tjera, unë di që do të kem mbështetjen e plotë të partnerit. Unë do t’i hyj procesit të zgjedhjes së presidentit. Këtë ma obligon edhe vullneti i popullit. Unë do të kandidohem, në fund u takon deputetëve të vendosin”, tha Osmani.

Osmani e ka konfirmuar se nuk kanë biseduar me ndonjë parti për të parë se cili është qëndrimi i tyre karshi procesit të zgjedhjes së presidentit.

“Ne nuk kemi biseduar me ndonjë parti specifike, por ne bashkëpunojmë më të gjitha partitë në Kuvend, për t’i mbrojtur institucionet. Thirrja jonë për të gjithë është që për hir të stabilitetit institucional, të kontribuojnë. Se çfarë vote japin, ajo është çështje e tyre.

Secili deputet e di se Vjosa Osmani si presidente nuk i bën e as nuk i ka bërë kurrë dëm vendit të saj, por përkundrazi në bashkëpunim me të tjerët do ta çoj përpara. Ne presim që secili deputet në mënyrë racionale të veproj në interes të Republikës, sepse edhe ashtu mundësi të tjera nuk ka. Mundësia tjetër na çon në zgjedhje”, tha tutje ushtruesja e detyrës së presidentes.

RAPORTO