Osmani: Pavarësia e Kosovës është një fakt i vendosur, asnjë veprim i Serbisë nuk do të mund ta ndryshojë këtë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar ashpër masat e kohëve të fundit të Serbisë ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si “taktika” për të destabilizuar vendin.
Në një prononcim për media, pas pjesëmarrjes në ceremoninë e përvjetorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Osmani ka theksuar se Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni mbi Kosovën, që nga viti 1999.
“Serbia nuk ka asnjë juridiksion as gjyqësor e as territorial mbi Kosovën që nga viti 99. Do të thotë se edhe ende pa u shpallur Kosova e pavarur më 2008, rezoluta 1244 ia ka marrë çdo lloj juridiksioni në atë kohë Jugosllavisë dhe fillimisht ka vendosur kompetencat në kuadër të prezencës civile dhe ushtarake, siq e dini nga 99’ deri në vitin 2008. Nga viti 2008 e tutje i vetmi shtet që ka juridiksion mbi këtë territor është Republika e Kosovës, gjë e konfirmuar edhe nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë,” ka deklaruar Osmani.
Sipas presidentes, veprimet e Serbisë janë një dëshmi e qartë se Beogradi ende nuk ka hequr dorë nga mentaliteti i viteve ’90, një mentalitet që synon destabilizimin e shteteve fqinje.
“Tani këto janë tendenca, taktika të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin dhe ajo që dëshmohet më së miri përmes këtyre veprimeve është që Serbia akoma e ka mendësinë e viteve 90, një mendësi që synon t’i destabilizojë shtetet fqinje, megjithatë realiteti është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm dhe Serbia nuk do të mund të arrijë asgjë me këtë,” ka shtuar Osmani.
Presidentja e Kosovës ka theksuar se pavarësia e Kosovës është një fakt i vendosur dhe se asnjë veprim i Serbisë nuk do të mund ta ndryshojë këtë realitet.