Osmani: Kosova ka besim të plotë në administratën Trump
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova ka besim të plotë në presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe në administratën e tij, pas takimit që zhvilloi në Washington me zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau.
Foto: Ilustrim
Në një deklarim për media, Osmani ka shprehur falënderimet e popullit të Kosovës për ligjin e sapo nënshkruar nga presidenti Trump, në të cilin përfshihet edhe Republika e Kosovës. Ajo theksoi se ky ligj qartëson se nuk do të ketë ndryshim të kufijve dhe se mbrohet integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës.
“Prandaj mbrohet integriteti territorial dhe sovraniteti i vendit tonë. Qartësohet se dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke, përkrahet anëtarësimi ynë në NATO, si dhe investimet strategjike në fushën e ekonomisë. Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati ynë më i rëndësishëm strategjik, si dhe për hapat përpara dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim në mënyrë që dialogu strategjik me SHBA-në të rikthehet”, ka deklaruar Osmani.
E para e vendit ka theksuar se Kosova ka qenë ndër shtetet e para që ka përkrahur veprimet e ndërmarra nga presidenti Trump, duke vlerësuar kontributin e tij për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Jemi ndër një nga shtetet e para që kemi përkrahur një sërë veprimesh të ndërmarra nga presidenti Trump, kontributi i të cilit për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë është i domosdoshëm dhe ka qenë i vazhdueshëm”, u shpreh ajo.
Presidentja Osmani iu referua edhe Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili është miratuar nga të dyja dhomat e Kongresit amerikan dhe është nënshkruar në ligj nga presidenti Donald Trump më 18 dhjetor. Me këtë akt, Shtetet e Bashkuara zotohen të vazhdojnë mbështetjen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, në këtë dokument theksohet mbështetja për demokracitë pluraliste në rajon, si një mjet kyç për parandalimin e rikthimit të konflikteve etnike dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.