OSBE: Projektligji për KPM-në të mos ketë kufizime dhe ndikim të padrejtë në media

13.02.2024

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka thënë të martën se Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili synon rregullimin e mediave online, duhet ta shmangë çfarëdo kufizimi të papërshtatshëm të lirisë së shprehjes dhe çfarëdo ndikimi të padrejtë në përmbajtjen mediatike.

OSBE: Projektligji për KPM-në të mos ketë kufizime dhe ndikim të padrejtë në media Foto: Kamerë për videoingjizimin, studio e mediumit SuharekaOnline

OSBE tha se e “mirëpret” synimin e Qeverisë për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për KPM-në në përputhje me direktivën e Bashkimit Evropian, për të siguruar “një kuadër më të zbatueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve, promovimin e diversitetit kulturor dhe pluralizmin mediatik”.

Por, ajo e theksoi rëndësinë e nxitjes së një “mjedisi të favorshëm për vetërregullimin e mediave në internet, të bazuar në parimet e lirisë, përgjegjësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike”.

“Çdo legjislacion i ri duhet të sigurojë se nuk dobëson rolin e rëndësishëm të Këshillit të Mediave të Shkruara në vetërregullimin efektiv, duke përfshirë edhe për sa i përket përmbajtjes mediatike në internet”, tha OSBE-ja, për REL.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në këtë ligj.

Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj mediave, duke shprehur drojën se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediat.

Sipas OSBE-së, Projektligji do të synojë “artikulimin efektiv të standardeve dhe parimeve sipas së cilave do të nxirren aktet e nevojshme nënligjore. Gjithashtu, është me rëndësi të sigurohet ekuilibër midis rregullimit dhe vetërregullimit në këtë sektor”.