OIK ndan çmimet vjetore: Nderohet infermieri Zymer Llugaxhiu për kontributin dhe përkushtimin ndër vite
Sot, në ambientet e Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), është mbajtur ceremonia solemne e ndarjes së çmimeve dhe mirënjohjeve për profesionistët shëndetësorë, në shenjë vlerësimi për punën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të pacientëve.
Foto: Ilustrim
Në mesin e të nderuarve ishte edhe Kryeinfermieri i Njësisë së Laborator-Diagnostikës në QKMF “Rexhep Kuçi” në Suharekë, Zymer Llugaxhiu, i cili u vlerësua për kontributin e tij të çmuar ndër vite në sistemin shëndetësor.
Llugaxhiu është dalluar për profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të vazhdueshëm në ofrimin e shërbimeve cilësore, ndërsa kontributi i tij merr një peshë të veçantë gjatë periudhës së luftës, kur në rrethana të vështira ai ishte në vijën e parë të shërbimit ndaj pacientëve dhe komunitetit.
Përveç punës së tij në praktikë, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në edukimin dhe formimin profesional të gjeneratave të reja, duke përcjellë njohuri dhe standarde të larta etike në trajtimin e pacientëve.
Menaxhmenti dhe stafi i QKMF “Rexhep Kuçi” në Suharekë kanë shprehur mirënjohje të thellë për angazhimin dhe kontributin e tij, duke i uruar shëndet dhe suksese të mëtejshme në jetën profesionale dhe personale.
