Oda Ekonomike: Kosova vazhdon të ketë pagat më të ulëta në Ballkanin Perëndimor

16.06.2026

Kosova mbetet vendi me nivelin më të ulët të pagave mesatare në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të pagave gjatë viteve të fundit, thuhet në një analizë të publikuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Sipas raportit, paga mesatare bruto në Kosovë është rritur nga 477 euro në vitin 2019 në 713 euro në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 49.5 për qind. Megjithatë, ndikimi i inflacionit ka bërë që rritja reale e fuqisë blerëse të qytetarëve të jetë vetëm rreth 13.8 për qind.

Oda Ekonomike vlerëson se mbi dy të tretat e rritjes nominale të pagave janë neutralizuar nga rritja e çmimeve, pasi inflacioni kumulativ gjatë periudhës 2019–2025 ka arritur në rreth 31.5 për qind.

Raporti thekson gjithashtu se sektori publik vazhdon të ofrojë paga më të larta sesa sektori privat. Në vitin 2025, paga mesatare bruto në sektorin publik ishte 840 euro, ndërsa në sektorin privat 666 euro, duke krijuar një dallim prej 174 eurosh. Pagat më të larta janë regjistruar në ndërmarrjet publike, ku mesatarja ka arritur në 915 euro bruto.

Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova renditet e fundit për nivelin e pagave mesatare. Në vitin 2025, paga mesatare bruto ishte 713 euro, krahasuar me 860 euro në Shqipëri, 1,111 euro në Maqedoninë e Veriut, 1,206 euro në Mal të Zi, 1,245 euro në Bosnje dhe Hercegovinë dhe 1,286 euro në Serbi.

Sipas analizës, Shqipëria ka shënuar rritjen më të madhe të pagave në rajon gjatë periudhës 2019–2025, me një rritje prej 102.4 për qind. Ndërkohë, diferenca mes Kosovës dhe Serbisë, si vendi me pagën mesatare më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ka arritur në mbi 500 euro në muaj.