Nxënësit munguan gjatë kompensimit të orëve, kërkohet strategji më e mirë për këtë vit shkollor
Në situata normale nxënësit do ta fillonin procesin mësimor më 1 shtator të këtij viti, por si pasojë e rritjes enorme të rasteve pozitive me COVID-19 ka bërë që Qeveria të ndërmerrë disa masa kufizuese për luftimin, kontrollin dhe parandalimin e COVID-19, ku këto masa kishin paraparë që data e fillimit të vitit të ri […]
Në situata normale nxënësit do ta fillonin procesin mësimor më 1 shtator të këtij viti, por si pasojë e rritjes enorme të rasteve pozitive me COVID-19 ka bërë që Qeveria të ndërmerrë disa masa kufizuese për luftimin, kontrollin dhe parandalimin e COVID-19, ku këto masa kishin paraparë që data e fillimit të vitit të ri shkollor të shtyhet.
Deri më tani nxënësit kanë të humbura 18 ditë të vitit shkollor 2021/2022, ku për këtë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se këto ditë të humbura do të kompensohen.
Por, për kompensimin e orëve të humbura po kërkohet të mendohet një strategji më e mirë, pasiqë sipas mësimdhënësve kompensimi i orëve të humbura gjatë vitit të kaluar është përcjell me shumë mungesa të nxënësve.
Një mësimdhënëse në Shkollën Model “Qamil Batalli”, ka thënë për EkonomiaOnline se zëvendësimi orëve nuk është problem për të, pasi edhe para pandemisë kanë mbajtur orë plotësuese.
“Sfidë mund të jetë nëse bëhet zëvendësimi i të shtunave, jo për ne, por fëmijët nuk kanë tregu shumë interes për të mbajtur të shtunave mësim, ka pasë shumë mungesa. Mënyra më e dëshirueshme është zëvendësimi gjatë pushimit pranveror por janë vetëm pesë ditë, por duhet të gjejmë mënyra më të mira nga organet përkatëse për t’i kompensuar këto orë”, tha ajo.
Po ashtu, edhe një mësimdhënës në Shkollën Fillore “Bajram Curri” tha se duhet të përpilohet një udhëzim administrativ për t’i trajtuar mungesat e paarsyeshme të nxënësve gjatë kompensimit të orëve të mësimore.
Tutje, ai tha se janë të gatshëm t’i kompensojnë orët mësimore ashtu siç do t’iu kërkohet nga MAShTI.
“Ne do t’i kompensojmë orët tona ashtu siç na kërkohet…As që bëhet fjalë që ne të kërkojmë pagesa shtesë, megjithëse do të jenë të nevojshme, mirëpo e rëndësishme është që të hapen shkollat”.
Ministrja e MAShTI, Arbërie Nagavci, ka thënë se shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen.
“Arsimi cilësor mund të ofrohet vetëm në shkolla. Prandaj, edhe shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen”, ka shkruar ajo.
Gjithashtu, Nagavci ka njoftuar se të hënën më 27 shtator do të mbahet mbledhja e task-forcës ku do të qartësohet për kompensimin e orëve të humbura mësimore si rrjedhojë e masave për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.