Nis verifikimi i ankesave për njehsorët elektrikë, pajisjet me mospërputhje largohen nga përdorimi
Ka nisur procesi i verifikimit të ankesave të para të qytetarëve lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë. Komisioni i posaçëm i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Tregut, ka dalë në terren për të shqyrtuar rastet e raportuara.
Gjatë inspektimeve, njehsorët që janë konstatuar me mospërputhje të kohës janë tërhequr nga përdorimi dhe janë dërguar për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës. Autoritetet bëjnë të ditur se rezultatet e para pritet të publikohen së shpejti.
Ndërkohë, qytetarët ftohen të vazhdojnë të paraqesin ankesat e tyre përmes adresës elektronike zyrtare, duke përfshirë të dhënat e kontaktit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të kryhet sa më shpejt dhe me efikasitet.

