Nga e diela për të hyrë në Gjermani ju duhet test

30.07.2021

Të gjithë njerëzit mbi dymbëdhjetë vjeç, kur të hyjnë në Gjermani duhet të tregojnë një rezultat negativ të testit, të kenë dëshmi se janë vaksinuar ose se janë shëruar. Ashtu sikurse ishte pritur, Qeveria Gjermane sot ka miratuar vendimin me të cilin e bën të detyrueshëm pasjen e testit negativ për të gjithë ata që hyjnë […]

Nga e diela për të hyrë në Gjermani ju duhet test Foto: Ilustrim

Të gjithë njerëzit mbi dymbëdhjetë vjeç, kur të hyjnë në Gjermani duhet të tregojnë një rezultat negativ të testit, të kenë dëshmi se janë vaksinuar ose se janë shëruar.

Ashtu sikurse ishte pritur, Qeveria Gjermane sot ka miratuar vendimin me të cilin e bën të detyrueshëm pasjen e testit negativ për të gjithë ata që hyjnë në territorin gjerman nga jashtë.

Kështu, duke filluar nga e diela, të gjithë njerëzit mbi dymbëdhjetë vjeç, kur të hyjnë në Gjermani duhet të tregojnë një rezultat negativ të testit, të kenë dëshmi se janë vaksinuar ose  se janë shëruar nga koronavirusi, shkruan srf.ch.

Kjo rregullore deri më tani zbatohej vetëm për udhëtarët që hynin në Gjermani përmes rrugës ajrore ndërsa tani e tutje ajo zbatohet edhe për hyrjen me makinë ose me tren, transmeton albinfo.ch. Kabineti Federal ka miratuar të premten (sot) këtë urdhëresë të bërë nga Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn.

Qëllimi i saj është që të ulet sa më shumë që të jetë e mundur hyrja e infeksioneve shtesë në Gjermani.

Ndërkaq, rregullore të veçanta do të vlejnë për punëtorët ndërkufitar si dhe për udhëtimet e shkurtra në trafikun ndërkufitar me qëndrim më pak se 24 orë në Gjermani. Për këta persona, detyrimi për të treguar testin negativ zbatohet vetëm kur ata vijnë në Gjermani nga një zonë me rrezik të lartë,  zonë të ndonjë varianti të ri , shqetësues,të virusit ose nga ajri.