Nga 15 nëntori obligohen pajisjet dimërore në Kosovë
Me afrimin e sezonit dimëror, drejtuesit e automjeteve në Kosovë duhet të përgatiten për zbatimin e rregullave ligjore për pajisjet dimërore, të cilat bëhen të detyrueshme nga data 15 nëntor.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), automjetet duhet të jenë të pajisura në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Udhëzimin Administrativ për pajisjet dimërore.
Në bazë të nenit 5 të këtij udhëzimi, pajisjet dimërore përfshijnë pneumatikët dimërorë, zinxhirët për borë ose pajisje të tjera të përshtatshme që ndihmojnë në rritjen e kapjes së automjetit me sipërfaqen rrugore.
Një element i rëndësishëm për identifikimin e gomave dimërore është simboli 3PMSF, i cili paraqet një mal me tri maja dhe një flok bore.
Ky simbol dëshmon se goma ka kaluar testet e standardizuara të performancës në kushte bore.
Drejtuesve të automjeteve u rekomandohet që të kontrollojnë gjendjen e gomave dhe pajisjeve të tjera dimërore përpara datës 15 nëntor, në mënyrë që të shmangin gjobat dhe të sigurojnë qarkullim më të sigurt në rrugë.
Përgatitja me kohë është veçanërisht e rëndësishme gjatë periudhës së temperaturave të ulëta, reshjeve të borës dhe ngricave, kur rreziku i aksidenteve në komunikacion rritet.
