“Nëse shtrenjtohen tarifat e energjisë elektrike, bizneset do t’i rrisin çmimet”

13.08.2022

Kjo kërkesë ka ngjallur reagime e pakënaqësi të shumta si nga qytetarët, ashtu edhe nga bizneset. Po ashtu, një kërkesë e tillë e KESCO-s për shtrenjtim të rrymës po vlerësohet si e papërballueshme për xhepin e qytetarit, xhep ky i cili po rëndohet çdo ditë e më shumë. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), […]

“Nëse shtrenjtohen tarifat e energjisë elektrike, bizneset do t’i rrisin çmimet” Foto: Ilustrim

Kjo kërkesë ka ngjallur reagime e pakënaqësi të shumta si nga qytetarët, ashtu edhe nga bizneset.

Po ashtu, një kërkesë e tillë e KESCO-s për shtrenjtim të rrymës po vlerësohet si e papërballueshme për xhepin e qytetarit, xhep ky i cili po rëndohet çdo ditë e më shumë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna ka paralajmëruar se nëse është në plan që tarifat e rrymës të rriten edhe për bizneset, do të rriten edhe më tej çmimet e produkteve në vend.

Çmimi i energjisë mund të rritet përsëri sivjet, pasi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar më 9 gusht një aplikim për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal, KESCO.

Kryetari i ri i Odës Ekonomike të Kosovës, Rafuna në një intervistë për KosovaPress, ka folur për kërkesat e bizneseve dhe reformimin e OEK-ut. Për më tepër thekson se OEK-u, do të jetë një shtëpi e bizneseve, e cila do t’i mbrojë interesat e biznesit në të mirën e ekonomisë së vendit dhe motivimit të investitorëve të huaj në vendin tonë.

“Si frikë ose si shqetësim i bizneseve që kanë paraqitur, është edhe paralajmërimi për ngritjen e tarifave të rrymës, edhe pse ne si Odë Ekonomike, ende nuk kemi marrë ndonjë dokument… (09’42) Sikurse që theksova për naftën që ka drejtpërdrejt efekt në procesin e prodhimit, po ashtu edhe te rryma ka afekt drejtpërdrejt në proces të prodhimit, për arsye se prodhimi është i ndërlidhur në procesin e energjisë elektrike, kështu që është e vërtet që në muajin shkurt nuk ka pasur ngritje të tarifave të energjisë elektrike për bizneset, për këtë arsye ne presim që ta kemi një dokument nga ZRRE-ja, se a janë të përfshira edhe bizneset apo i përfshinë vetëm qytetarët.

Nëse shtrenjtohet rryma për bizneset padyshim që do të ketë efekt edhe në ngritjen e çmimit të produkteve, për arsye se rryma ka ndikim në proces të prodhimit”, thekson Rafuna.