Nëntë vite nga vdekja e Astrit Deharit – Kurti: S’mund të bëhem prokuror e gjykatës, drejtësia është shtyllë e ndarë pushteti
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe tek varri i aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, duke theksuar se nuk ka pasur avancime cilësore në hetimet për vdekjen e tij.
Kurti ka theksuar se sistemi i drejtësisë duhet të bëjë shumë më tepër për zbardhjen e këtij rasti, i cili, sipas tij, përbën një plagë të hapur jo vetëm për familjen e Deharit dhe VV-në, por për të gjithë popullin e Kosovës.
“S’ka avancim cilësor. Si Qeveri jemi në gjendje gatishmërie, të vullnetshëm dhe të interesuar që ta ndihmojmë Prokurorinë. Mirëpo 9 vjet janë shumë, edhe 9 muaj janë shumë pa u sjell drejtësia”, ka thënë Kurti.
Kryeministri në detyrë ka shtuar se Qeveria dhe VV nuk mund të marrin vendime në vend të drejtësisë, duke kujtuar ndarjen e pushteteve:
“Është prokuroria që duhet të bëjë shumë më tepër që të sillet drejtësia. Si Qeveri dhe VV na kanë në dispozicion, por ne punën e Prokurorisë edhe të sistemit të Drejtësisë s’mund ta bëjmë. Janë shtylla të ndara të pushtetit”, ka theksuar Kurti.
Ai ka shtuar se ekziston mundësia që procesi i hetimit të rishqyrtohet, pasi çdo nisje e gabuar e hetimit e vështirëson edhe më shumë arritjen e drejtësisë:
“Ka shumë mundësi që për këtë rast të hetohet edhe procesi i hetimit. Sepse kur diçka nis mbrapsht, bëhet dyfish më e vështirë që të kthehet mbarë”, ka thënë Kurti.
Në përfundim, Kurti ka bërë të qartë se as ai, as aktivistët, deputetët apo ministrat e VV-së nuk mund të zëvendësojnë rolin e prokurorisë dhe gjykatave:
“Si kryeministër unë, aktivistët tanë, ministrat tanë, deputetët tanë, s’mund të bëhen prokuror e gjykatës”, ka përfunduar Kurti.