Në prag të Ditës Botërore kundër Duhanit, apelohet për reduktimin e duhanpirjes në Kosovë
Në prag të 31 majit, Ditës Botërore kundër Duhanit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) organizuan një konferencë për media, ku u diskutuan sfidat dhe përpjekjet institucionale për të ulur numrin e duhanpirësve në vend.
Foto: Ilustrim
Në këtë konferencë morën pjesë ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe përfaqësues nga IKSHPK dhe KADAC.
Ministri Vitia theksoi se duhani mbetet një kërcënim serioz për shëndetin publik, duke kujtuar se mbi 8 milionë njerëz në botë humbasin jetën çdo vit si pasojë e duhanit. Ai po ashtu vuri në dukje se në Kosovë ka një rënie të përdorimit të duhanit krahasuar me vitin 2011, dhe se IKSHPK së shpejti do të publikojë të dhëna të reja mbi përdorimin e duhanit tek të rinjtë.
“Përkundër sfidave, nuk kanë munguar as rezultatet sikurse rritja e akcizës, inspektimet dhe presim rritje të numrit të inspektorëve për shtim të inspektimeve në hapësira ku është e ndaluar duhanpirja”, deklaroi ministri Vitia.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në Kosovë vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj përdorimit të duhanit, përfshirë edhe moshat e reja.
Faik Hoti nga IKSHPK u shpreh se po zhvillojnë aktivitete dhe hulumtime me synim uljen e përdorimit të duhanit, veçanërisht tek të rinjtë. “Që nga hyrja në fuqi e ligjit kundër duhanit, hulumtimet tona që janë zhvilluar kanë nxjerrë në pah një ulje të përdorimit, porse në luftën kundër duhanit ne presim çdo herë përmirësim të uljes së nivelit të duhanpirjes në vend”, tha Hoti.
Megjithëse Ligji për Kontrollin e Duhanit në Kosovë është në fuqi që nga viti 2013, zbatimi i tij ende ballafaqohet me vështirësi, sidomos në ambientet publike ku duhanpirja është e ndaluar.
Dita Botërore kundër Duhanit shënohet çdo vit më 31 maj, duke shërbyer si një kujtesë globale për rreziqet e duhanit dhe nevojën për politika efektive kontrolli.