Në Kosovë janë rreth 40 mijë përdorues të substancave narkotike
Personat përgjegjës që merren me rehabilitimin e këtyre njerëzve, thonë se droga e tipit kokainë është në treg e që mosha e përdoruesve ka rënë ndër vite. Nga viti në vit ka shënuar rënie mosha mesatare e atyre që abuzojnë me këto substanca. Mosha më e re që abuzon me droga është 16 vjeç dhe […]
Personat përgjegjës që merren me rehabilitimin e këtyre njerëzve, thonë se droga e tipit kokainë është në treg e që mosha e përdoruesve ka rënë ndër vite.
Nga viti në vit ka shënuar rënie mosha mesatare e atyre që abuzojnë me këto substanca.
Mosha më e re që abuzon me droga është 16 vjeç dhe se përdoret lloji i drogës marihuanë. Kurse përdoruesit e drogës së llojit kokainë, mosha mesatare ka rënë nga 37 vjeç në 26 vjeç.
’’Trendi i përdorimit të drogave në Kosovë është që droga e tipit heroinë ka rënë shumë por kanabisi është në vendin e parë. Më pas vjen droga e tipit kokainë e që po shënon përdorim të shpejtë e rënie të moshës. Nëse llogaritet para tri viteve mosha mesatare ka qenë 37 vjeç, ndërkaq në vitin 2021 ka qenë 26 vjeç, e që është shumë shqetësuese’’, ka thënë për Radio Kosovën, Safet Blakaj nga Qendra Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”.
Sipas Blakaj, në qendrën ‘Labirint’ që ai e udhëheq ndihmë mjekësore që nga fillimi i punës kanë kërkuar mbi 2 mijë persona, e që vlerësohet që janë pak krahasuar me përdoruesit e substancave narkotike që i ka vendi.
’Numri i përgjithshëm i të regjistruarve në qendër që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është 2 mijë e 723, përfshirë të gjitha drogat. Sipas të dhënave në teren del se numri i përdoruesve të përgjithshëm është rreth 40 mijë përdorues’’, tha ai.
Ndërkaq autoritetet e rendit përmes postës elektronike kanë dërguar të dhënat për sasinë e substancave narkotike të konfiskuara për vitin 2021.
Aty thuhet se sasia e konfiskuar e marihuanës është 499 kg, e kokainës është 414 kg, e heroinës është 3 kg. Gjithashtu gjatë vitit 2021 janë zbuluar dhe shkatërruar 3 laboratorë te kultivimit te bimës kanabis në Regjionin e Prishtinës.
Gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka njoftuar ditë më parë se në Terminalin Doganor të Hanit të Elezit, autoritetet kanë kapur 83.5 kilogramë drogë, që dyshohet të jetë e llojit heroinë.
Sipas tyre, deri më tani janë arrestuar shtatë persona. Droga u gjet gjatë kontrolleve të doganierëve në një maune që ishte nisur nga Turqia.