Në Gjakovë një grua 63-vjeçare kërkon ndihmë nga policia për shkak të presionit nga i biri
Numri i rasteve të dhunës në familje vazhdon të jetë shqetësues në Kosovë, me raportime të përditshme për arrestime të personave të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.
Gazeta Sinjali raporton se raste veçanërisht të rënda janë ato kur prindërit bëhen viktima të dhunës psikike dhe fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë është raportuar në orët e mbrëmjes në Gjakovë, ku një grua e moshuar ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak të presionit dhe stresit të vazhdueshëm nga djali i saj, i cili dyshohet të jetë përdorues i narkotikëve.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur më 21 maj 2025, rreth orës 22:00, në rrugën “Tivari”. B. M., 63 vjeçare, ka raportuar se djali i saj, Sh. M., 36 vjeç, e streson vazhdimisht dhe i kërkon para, duke i shkaktuar një gjendje të rënduar psikike.
Sipas deklaratës së viktimës, nuk ka pasur dhunë fizike, por përballja e përditshme me kërkesat dhe presionin e të birit ka bërë që ajo të mos ndihet e sigurt në shtëpinë e saj.
Policia ka reaguar menjëherë pas raportimit. Në konsultim me prokurorin kujdestar, i dyshuari Sh. M. është arrestuar dhe dërguar në ndalim. Rasti aktualisht është nën hetim nga autoritetet kompetente.