Ndalohen larja e veturave dhe ujitja e kopshteve me ujë të pijshëm, ARRU vendos masa të përkohshme
Nga 1 qershori 2026 kanë hyrë në fuqi masat e përkohshme për parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm gjatë sezonit veror, bazuar në vendimin e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU).
Sipas njoftimit, ndalohet përdorimi i ujit të pijshëm për larjen e automjeteve, pastrimin e rrugëve, trotuareve dhe sipërfaqeve të tjera publike apo private, ujitjen e kopshteve, livadheve dhe tokave bujqësore, si dhe për mbushjen e pishinave.
ARRU ka bërë të ditur se ekipet përgjegjëse do të intensifikojnë monitorimin dhe kontrollet në terren, ndërsa ndaj shkelësve do të ndërmerren masa sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë edhe ndërprerjen e furnizimit me ujë.
Autoriteti u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin ujin në mënyrë të përgjegjshme dhe racionale, me qëllim të sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët gjatë muajve të verës.
