Myftiu Tërnava pas arrestimit për spiunazh: Mos bini në kurthin e rrymave devijante
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka lëshuar një mesazh të fuqishëm unifikues për të gjithë besimtarët myslimanë në vend, pas arrestimit të Hysri Selimit, të dyshuar për spiunazh dhe përhapje të ideologjive ekstremiste në dobi të Serbisë.
Në mesazhin e tij, i cili është pjesë e Hytbes së sotme, Myftiu Tërnava u ka bërë thirrje besimtarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien në kurthin e rrymave devijante, të cilat synojnë t’i mashtrojnë në emër të fesë.
“Në dritën e zhvillimeve të fundit dhe arrestimit të një personi të dyshuar për spiunazh e veprimtari armiqësore dhe përhapje të ideologjive ekstreme fetare në Kosovë, në dobi dhe për interesa të Serbisë, ndjejmë për obligim të reagojmë qartë dhe me përgjegjësi,” thekson Myftiu Tërnava në fillim të mesazhit.
Ai shpjegon se rasti ka të bëjë me një person që dyshohet se ka bashkëpunuar me shërbimet e sigurisë së Serbisë, duke keqpërdorur fenë islame për të përhapur rryma të dëmshme në mesin e rinisë, duke dëmtuar imazhin e fesë islame, kombit dhe shtetit të Kosovës. Madje, ai person, në emër të fesë, kishte shkuar edhe në Siri, në një luftë që BIK e ka sqaruar si të papërshtatshme me islamin.
Myftiu Tërnava thekson se Islami është fe e paqes dhe mbështet shtetin dhe sigurinë, duke dënuar tradhtinë si një nga mëkatet e mëdha. Ai ka përshëndetur veprimin e institucioneve të sigurisë dhe ka shprehur kundërshtimin e fortë ndaj çdo përpjekjeje për instrumentalizimin e fesë për qëllime politike apo spiunazhi.
Në fund të mesazhit, Myftiu Tërnava u bën thirrje besimtarëve:
- Të marrin mësimet fetare vetëm nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe imamët e saj të autorizuar nëpër xhami.
- Të mos ndjekin individë apo platforma anonime që pretendojnë të shpërndajnë dije islame.
- Të jenë të vetëdijshëm se prapa këtyre përpjekjeve mund të fshihen qarqe që punojnë kundër besimit, shtetit dhe bashkëjetesës.
Ai përfundon duke theksuar se dashuria për atdheun është pjesë e besimit dhe mbështetja për shtetin është obligim fetar dhe qytetar, duke i inkurajuar besimtarët të jenë vigjilentë dhe të raportojnë rastet ku kanë dyshime.