Murati publikon shifra rekorde – kosovarët kanë 4.69 miliardë euro në banka, 2.12 miliardë më shumë se 5 vite më parë
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se depozitat dhe kursimet e familjeve kosovare në banka kanë arritur një rekord të ri, duke shënuar 4.69 miliardë euro në fund të muajit tetor 2025.
Foto: Ilustrim
Sipas të dhënave zyrtare nga seritë kohore të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kjo shifër përfaqëson një rritje prej 2.12 miliardë euro, apo 82.5%, krahasuar me muajin tetor para pesë vjetësh, kur depozitat dhe kursimet e familjeve ishin 2.57 miliardë euro.

Murati thekson se kjo rritje është më shumë se dy herë më e shpejtë se rritja e depozitave gjatë periudhës pesëvjeçare para qeverisë aktuale, e cila ishte 745 milionë euro, ose 40.8%.
“Kur faktet çmontojnë propagandën”, ka shkruar Murati, duke treguar se periudha 2020-2025 ka shënuar një rritje të konsiderueshme të kursimeve familjare, që e tejkalon dukshëm ritmin e rritjes gjatë periudhave të mëparshme.
Sipas ministrit, këto shifra tregojnë stabilitetin dhe besimin e qytetarëve në sistemin bankar, si dhe efektin e politikave ekonomike të qeverisë në rritjen e kursimeve të familjeve në Kosovë.
Kjo statistikë e fundit e BQK-së vërteton tendencën pozitive të kursimeve dhe depozitave, duke treguar se familjet kosovare po ruajnë më shumë para në banka, gjë që mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e sistemit financiar të vendit.