Morinë, tentoi të hyjë në Shqipëri me 26 mijë euro të padeklaruara, procedohet penalisht 35-vjeçari nga Kosova
Një shtetas kosovar me inicialet A.S., 35 vjeç, është proceduar penalisht nga Policia Kufitare në pikën kufitare të Morinës, pasi tentoi të fuste në territorin e Shqipërisë një shumë prej 26 mijë eurosh, pa e deklaruar sipas ligjit.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, gjatë kontrollit të ushtruar në hyrje të Shqipërisë, në bazë të inteligjencës informative, automjeti i drejtuar nga i dyshuari është ndaluar dhe pas kontrollit janë gjetur të fshehura 26 000 euro të gatshme.
“Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në inteligjencën informative, kanë ndaluar në hyrje të Republikës së Shqipërisë automjetin me drejtues shtetasin kosovar A.S. Shërbimet e policisë i kanë gjetur këtij shtetasi, 26 000 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar sipas ligjit,” thuhet në komunikatë.
Paratë janë sekuestruar ndërkohë që ndaj A.S. është nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën “Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, dhe materialet i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprime të mëtejshme.