Zbulohen 50 mijë euro monedha metalike të padeklaruara në Vermicë

23.10.2025

Zyrtarët doganorë në Pikën Kufitare të Vermicës kanë zbuluar 50 mijë euro të padeklaruara gjatë një kontrolli të detajuar të një automjeti që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë procedurës së zakonshme doganore, udhëtari kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim. Megjithatë, pas një kontrolli të hollësishëm në vijën e dytë, zyrtarët kanë zbuluar sasinë prej 50 mijë eurosh në monedha metalike, të cilat ishin fshehur në pjesën e bagazhit të automjetit.

Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Dogana e Kosovës ka konfiskuar 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme pranë Sektorit të Hetuesisë.

Dogana e Kosovës ka apeluar tek qytetarët dhe udhëtarët që kalojnë përmes pikave kufitare që të respektojnë obligimet ligjore dhe të deklarojnë çdo shumë që tejkalon 10 mijë euro, qoftë në hyrje apo dalje nga territori i vendit.

Institucioni thekson se mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në parandalimin e veprimeve që cenojnë integritetin financiar dhe sigurinë ekonomike të Republikës së Kosovës.