Morinë, ndalohen dy shtetas kosovarë, tentuan të futen në Shqipëri me mbi 20 mijë euro të padeklaruara
Policia kufitare në pikën e kalimit Morinë ka ndaluar dy shtetas kosovarë, të cilët tentuan të hynin në territorin e Shqipërisë me një shumë prej 20 200 eurosh të padeklaruara.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shqipërisë, gjatë kontrolleve të imtësishme në vijën e dytë, të kryera mbi bazën e analizës së riskut, është ndaluar një automjet tip “BMW”. Mjeti drejtohej nga shtetasi B.K., 43 vjeç, banues në Mitrovicë, ndërsa pasagjer ishte M.K., 31 vjeç, me banim në Suedi.
Gjatë kontrollit fizik, autoritetet kufitare i kanë gjetur B.K.-së shumën prej 13 000 eurosh dhe M.K.-së 7 200 euro. Të dy shtetasit nuk e kishin deklaruar shumën e parave në pikën kufitare, siç parashikohet nga legjislacioni në fuqi.
Në përfundim të veprimeve procedurale, ndaj tyre është nisur procedim penal në gjendje të lirë, ndërsa shuma prej 20 200 eurosh është sekuestruar nga autoritetet shqiptare. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Kukësit për veprime të mëtejshme.